Kusari-Lila: Përfaqësuesve të dashur e të çmuar të diasporës ju them se do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i formojmë institucionet - NACIONALE

Kusari-Lila: Përfaqësuesve të dashur e të çmuar të diasporës ju them se do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i formojmë institucionet

1 orë më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qytetarët janë të brengosur për moskonstituimin e Kuvendit, ndërsa shefi i saj, Albin Kurti ende nuk ka propozuar emër për kryetarin e këtij institucioni.

Kusari-Lila i bëri këto deklarata gjatë një takimi me mërgimtarë në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se moskonstituimi i legjislativit është shqetësim edhe për diasporën.

“Moskonstituimi i Kuvendit është brengë për mërgimtarët, është brengë për qytetarët e Republikës, është brengë shumë e madhe për bizneset për sigurinë e investimeve në Kosovë”, ka thënë ajo.

Më tej, Kusari-Lila ka përcjellë një mesazh për përfaqësuesit e diasporës, duke thënë se po bëhen përpjekje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve.

“Përfaqësuesve tanë të dashur e të çmuar të diasporës që janë sot këtu, ju thejmë se po bëjmë përpjekje maksimalisht që sa më parë t’i kemi institucionet e formuara. Unë shumë do të doja që sot të ishim në legjislaturën e 11-të funksionale, me Kryetar Kuvendi, me Kryesi të Kuvendit e gjithashtu edhe me Qeveri e me President”.

Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i pakonstituuar, ndërsa procesi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit mbetet një nga çështjet kryesore që po pengon përfundimin e seancës konstituive.

Lajme të ngjashme