Kusari-Lila për propozimin e Haradinajt për qeveri të unitetit: Qytetarët kanë vendosur ndryshe
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar si të papranueshme idenë e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për krijimin e një qeverie të unitetit.
Kusari-Lila e falënderoi Haradinajn për propozimin, por theksoi se vota e qytetarëve në zgjedhjet e fundit ka treguar një mbështetje të madhe për Qeverinë Kurti.
Ajo theksoi se Qeveria Kurti merr mandatin e plotë me një legjitimitet të paparë deri më tash, pasi ka fituar mbi 51% të votave të Republikës.
“Mund të them sonte nga kjo studio që e falënderojmë zotëri Haradinajn për propozimin dhe për mundësinë që ta përfshijë edhe lëvizjen në një qeveri të unitetit. Por, fatkeqësisht, për zotëri Haradinajn qytetarët kanë vendosur ndryshe dhe vota e tyre ka treguar që qeveria Kurti e merr mandatin e plotë si një qeveri me një legjitimitet dhe me një mbështetje të paparë deri më tash me mbi 51 për qind të votave të Republikës,” - tha Kusari-Lila në "Këndin e Debatit" në Tëvë1.