Kusari-Lila jep një interpretim se çka po diskutohet në Bruksel rreth dinarit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në takimin që po zhvillohet në Bruksel rreth dinarit e ku pjesëmarrës nga pala kosovare është guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, nuk po diskutohet asgjë tjetër përveç “parave të dedikuara për serbët e Kosovës që vinë si ndihmë nga Serbia”.
“Vetëm siç e dini çështja e dinarit ka të bëjë edhe me transferet të cilat janë të dedikuara për komunitetin serb në Kosovë që vijën si ndihmë nga Serbia. Përderisa është e paraparë edhe në ligjin për menaxhimin e financave të pushtetit lokal, që parashihet që këto transfere bëhen zyrtarisht përmes llogarive të veçanta”.
“Për tu vendosur ky komunikim dhe kjo mënyrë, e cila do të jetë tërësisht ndryshe prej asaj se si janë bërë transferet po diskutohet, përtej asaj nuk ka çka tjetër të diskutohet në raport me rregulloren e BQK-së. BQK-ja është institucion i pavarur i zgjedhur sipas ligjeve në fuqi prej Kuvendit të Republikës, i raporton Kuvendit, prandaj e vetmja çështje e cila diskutohet mund të jetë transferi i mjeteve që behën nga nja Bankë që në Serbi quhet Banka Popullore tek Banka Qendrore e Kosovës”, tha Kusari-Lila për Ekonomia Online.
Ndryshe nga ç’thotë Kusari-Lila, nga pala serbe nuk po merr pjesë askush nga Banka Qendrore e Serbisë, por Banke Poštanska štedionica, e cila megjithatë është bankë shtetërore.