Kusari-Lila i përmend zgjedhjet gjatë këtij viti, Rexhaj thotë se kur të përfundon mandati - NACIONALE

Kusari-Lila i përmend zgjedhjet gjatë këtij viti, Rexhaj thotë se kur të përfundon mandati

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, dje deklaroi se gjatë këtij viti mund të ketë zgjedhje të reja, pasi ato janë në përputhje me kalendarin zgjedhor.

Sipas saj, kjo nuk do të ishte befasi.

“Në mars hyjmë në vitin e katër qeverisës. Sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që deri në fund të vitit të organizojmë zgjedhje të rregullta të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do të ishte në shkurt të vitit 2025. Por, para dhe pas në periudhën 60 ditore ka mundësi të diskutimit ndërmjet subjekteve politike me presidenten e vendit për të gjetur një datë të përbashkët. Prandaj, nuk do të ishte risi nëse Kosova do të ballafaqohet me proces zgjedhur këtë vit. Pra nuk do të ishte krejtësisht e jashtëzakonshme.” – ka deklaruar ajo në RTK.

Ndërsa deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, deklaroi se zgjedhjet mbahen kur të përfundon mandati katër vjeçar i qeverisjes.

“Lëvizja Vetëvendosje ka mandatin prej qytetarit për katër vite në udhëheqje dhe sigurisht atë duhet ta respektojë, mandati jonë përfundon me katër vite qeverisje dhe atëherë duhet të shkojë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk mund të bëhen kur ka dëshirë opozita apo kushdo qoftë”, ka thënë Rexhaj për Front Online.

Megjithatë, ai deklaroi dje se partia e tij është e gatshme për zgjedhje.

“Ne jemi të gatshëm për zgjedhje qysh edhe nesër, mirëpo ne do të shkojmë atëherë kur na përfundon mandati”, ka thënë deputeti i VV-së.

Lajme të ngjashme