Kusari- Lila: Arben Gashi spekuloi, Qeveria nuk do të rrëzohet
Pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili tha se në vjeshtë pritet të bjerë Qeveria Kurti 2, dhe se tetë deputetë të tyre kanë interesim të kalojnë në LDK, ka folur shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Kusari Lila.
Lila për portalin Dukagjini, ka thënë se Arben Gashi ka spekuluar dhe se qeveria nuk do të rrëzohet.
“Fare nuk besoj se qëndrojnë këto pretendime për arsye se nuk ka pasur as indikacione apo shprehje të vullnetit për të kaluar apo pakënaqësi përbrenda grupit. Situata është normale në grup, me një frymë komunikimi dhe bashkëpunimi, prandaj për më tutje, për kë ka menduar, besoj që Z. Gashi duhet të flasë. Por më tepër e shoh si deklaratë spekulative sesa diçka përmbajtësore. Janë po të njëjtit që i kanë paraparë pak muaj, më pak se një vit e kështu me radhë të Qeverisë, prandaj ne kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisjes dhe po besoj që Qeveria do të vazhdojë në mandatin e saj të rregullt deri në vitin 2025, kur do të mbahen zgjedhje të tjera parlamentare,” ka thënë Kusari-Lila.