Kurti viziton Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë
Kryeministri i Republikës Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, kanë vizituar Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë.
Gjatë vizitës, ata u pritën nga Koordinatori i kësaj Qendre, Serdal Vardar, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti dhe kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se kryeministri Kurt shprehu mirënjohjen për angazhimin, kontributin dhe rolin në çdo fushë të shoqërisë turke, por gjithashtu edhe për mbarë kombin shqiptar.
Vizita e tij në Ankara dhe në Qendrën Kulturore që mban emrin e Rilindasit tonë, Sami Frashëri, përkon me 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet”, për të cilën kryeministri Kurti u shpreh padyshim se është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, ka njoftuar ZKM-ja.
“Është një gjë shumë e rrallë që një tekst i cili ka një shekull e i çerek shekulli të jetë aq aktual, kushdo që e lexon kurdo. Andaj veprat e Sami Frashërit janë vepra që rilexohen dhe të gjithë të rinjtë e të rejat duhet ta bëjnë këtë, sepse ai na e mëson gjuhën përmes kombit, edhe kombin përmes gjuhës”, tha kryeministri.
Teksa i falënderoi për pritjen dhe shoqërimin brenda Qendrës Kulturore, të pasur me fotografi të figurave e momenteve historike e libra të ndryshëm, ai i ftoi studentët, nxënësit dhe mërgatën që të vijnë në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, sa herë të kenë mundësi, dhe i inkurajoi ata që të mësojnë sa më mirë e sa më shumë gjuhën shqipe, e cila është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë.
”Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi”, u shpreh kryeministri.