Kurti viziton AKI-në
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se të premten ka vizituar Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë.
Ai tha se vizita u bë me rastin e 17 vjetorit të themelimit të AKI-së.
“Inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit, duke garantuar që Republika jonë të jetë e përgatitur për çdo sfidë dhe të marrë vendime të informuara.
Në kuadër të prioriteteve tona për të mbështetur sektorin e sigurisë, AKI ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rritje të lartë të buxhetit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë.
Më inkurajon fakti që AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë” – ka shkruar ai.
Tutje, Kurti ka thënë:
“Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare.
Shpreha mirënjohjen dhe respektin tim për stafin drejtues dhe të gjithë zyrtarët e AKI-së që shërbejnë me nder, përkushim të lartë dhe atdhedashuri, në një profesion që është mision, shpesh në heshtje, por gjithmonë në mbrojtje të Republikës dhe të qytetarëve të saj”.