Kurti tregon për darken e Kallasit ku mori pjesë edhe Gjuriqi i Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar për darken e kryediplomates evropiane në New Yorik, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq.
Ai ka bërë me dije se në këtë darke ka folur për procesin e integrimit të Kosovës në BE.
Në profilin e tij në Facebook, ai e ka kritikuar BE-në për qasjen ndaj Kosovës.
“Dje, në Neë York mora pjesë në drekën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor. Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim”, ka shkruar Kurti, duke e vazhduar kritiken ndaj BE-së.
“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonal dhe më gjerë. Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Kurti.