Kurti thotë se u bënë një vit nga takimi i fundit me Vuçiqin: Duam dialog për marrëveshje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dje janë bërë një vit nga takimi i fundit në Bruksel, derisa tha se arsyeja pse nuk po vazhdon, duhet të kërkohet në Beograd.
Kurti në një kofnerencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se Serbia po i ikë edhe formimit të Qeverisë së saj, në mënyrë që mos t’i vendosë sanksione Rusisë.
“Është e vërtetë që takimi i fundit në Bruksel, birateral me Beogradin ka qenë më 19 korrik të vitit të kaluar, pra dje janë bërë një vit. Arsyeja pse nuk ka takime nuk do të duhej të kërkohej në Prishtinë, por në Beograd. Besoj që faktori kryesor pse ata po i ikin bisedimeve për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, sepse bisedimet nuk janë për Kosovën, është për shkak se po e vonojnë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, sepse nuk duan t’i vënë sanksione Rusisë. Që nga 24 shkurti i këtij viti, kur filloi invazioni ushtarak, në Serbi u rrit shumë mbështetja për Kremlinin, ata janë duke u përpjekur që ta vonojnë procesin e konstituimit të brendshëm, pikërisht që të vazhdojnë të qëndrojnë të ulur në karriga”, ka thënë ai.
Kurti tutje ka deklaruar se Kosova dëshiron dialog për marrëveshje, e jo “dialog për dialog”.
“Ne duam dialog për marrëveshje, jo dialog për dialog, por kjo marrëveshje në parim dhe në thelb, është e qartë. Është marrëveshje ligjërisht e obligueshme, për normalizim të plotë të marrëdhënieve, e thotë Shtëpia e Bardhë me presidentin Biden, e thotë DASH-i, e thotë Berlini, e thotë edhe BE-ja. Beogradi është në siklet, por ky është sikleti i tyre, jo i yni. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen, po të varej nga ne, është e qartë, por nuk varet vetëm nga ne”, ka thënë ai.