Kurti thotë se Kosova po zhvillon negociata për targat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës është në negociata për çështjen e targave ilegale.
Gjatë vizitës në Eestoni, ai ka thënë se është optimist, duke shtuar se duhet pritur rezultatin e bisedimeve.
Sipas tij, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, është duke i zhvilluar këto negociata me Brukselin.
“Jemi duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat e reja”, ka thënë Kurti në një konferencë të bashkët me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.
Ai ka shprehur nevojën e një marrëveshje përfundimtare në mes të dy vendeve.
“Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.