Kurti takon specializantët nga Presheva: Kërkesat e shqiptarëve të Luginës po trajtohen me seriozitet
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim kandidatët e Luginës së Preshevës të regjistruar për shkollim specialistik në Republikën e Kosovës.
Këshilltarja e kryeministrit për Luginë, Ardita Sinani, ka thënë se kryeministri ka shprehur mbështetjen e tyre për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke theksuar se jemi duke trajtuar me seriozitet kërkesat e tyre.
“Në ndërtesën e Qeverisë mirëpritëm e takuam kandidatët e regjistruar për shkollim specialistik në Republikën e Kosovës nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehëm mbështetjen tonë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke theksuar se jemi duke trajtuar me seriozitet kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve që ballafaqohen me diskriminimin shtetëror e sistematik në Serbi”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Më tej, ajo ka përmendur mbështetjen që Qeveria ka dhënë për Luginën.
“Specializantët shfaqën mirënjohjen e tyre për adresimin e shkollimit specialistik dhe përkrahjen e vazhdueshme të dhënë nga Qeveria. Në vitin 2022, për herë të parë një Qeveri e Republikës së Kosovës ndau linjë të veçantë buxhetore për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Për vitin e ardhshëm buxheti për Luginën e Preshevës është paraparë të jetë tre milionë euro, një millionë më shumë sesa ishte sivjet”, ka shkruar Sinani.