Kurti takon shefin e BE-së në Kosovë, i tregon për hetimet "rreth synimeve dhe autorëve" të sulmit në Banjskë
Kryeministri Albin Kurti sot ka pritur në një takim Shefin e Zyres së BE-së në Prishtinë, Tomas Szungyog.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, mes temave të bisedës në këtë takim ka qenë sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë dhe hetimet që po zhvillohen “rreth synimeve dhe autorëve të këtij sulmi”.
Po ashtu, është folur edhe për Procesin e Berlinit.
Szunyog raportohet ta ketë informuar kryeministrin për përgatitjet që po bën Komisioni Evropian për finalizimin e Raportit për Kosovën për vitin 2023.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot gjatë paradites Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-s, Tomáš Szunyog.
Sulmi terrorist, paramilitar dhe kriminal i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, hetimet që po zhvillohen rreth synimeve dhe autorët e këtij sulmi, procesi i Berlinit në prag të samitit të radhës dhe përgatitjet e Raportit të Vendit, ishin temat kyçe të bisedës në takimin e sotëm.
Ambasadori Szunyog i shprehu edhe një herë ngushëllime kryeministrit, familjes Bunjaku dhe popullit të Kosovës, për heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, rreshterin e Policisë i cili ra në detyrë, në mbrojtje të rendit, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial.
Ambasadori, më tej, e njoftoi kryeministrin Kurti për përgatitjet që Komisioni Evropian është duke i bërë në finalizimin e Raportit të Vendit për vitin 2023, i cili pritet të miratohet në pjesën e parë të muajit nëntor.