Kurti takon profesor Ramadan ZejnullahUN, flasin për matematikë dhe ia citon Galilei-n - NACIONALE

Kurti takon profesor Ramadan ZejnullahUN, flasin për matematikë dhe ia citon Galilei-n

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar profesorin e matematikës Ramadan Zejnullahun, me të cilin biseduan për lëminë, për çka kryeministri shkroi në Facebook duke cituar Galileo Galilei-n se “matematike është gjuha e universit, gjuha me të cilën universi flet dhe gjuha me të cilin ai mund të kuptohet”.

Postimi i Kurtit:

Ramadan Zejnullahu është autor i shumë teksteve mësimore shkollore dhe universitare nga fushat e matematikës, nga të cilat kanë mësuar dhe mësojnë breza të tërë nxënësish e studentësh. Kur matematika e ka shenjuar formimin tuaj shkollor, ajo shkon e kthehet jo vetëm në program të të bërit të llogarive e logjikë të të vepruarit, por edhe në sistem të të menduarit e në filozofi të të jetuarit. Sepse, siç është thënë shpesh herë frymëzuar nga një shprehje e Galileo Galileit, matematika është gjuha e universit, gjuha me të cilin universi flet dhe gjuha me të cilën ai mund të kuptohet.

Gjuha e matematikës e përshkoi edhe bisedën me Profesor Ramadan Zejnullahun, mbrëmë në shtëpinë e tij, ku profesori së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij na priti në vizitë. Biseduam për aktualitetin politik e shoqëror në Kosovë, për zhvillimet në Universitetin e Prishtinës dhe rezistencën gjatë viteve ’90, duke kujtuar profesorët e dikurshëm të përbashkët të matematikës.

Tashmë 67-vjeçar, Profesor Ramadan Zejnullahu ka ligjëruar në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, dekan i të cilit ka qenë në vitet 1997 – 2001. Ai ishte edhe Rektor i Universitetit të Prishtinës, mes viteve 2014 dhe 2016. Splein-funksionet në hapësirat e Hilbertit, ka qenë fusha tematike e tezës së magjistraturës dhe doktoraturës së tij. I urova shëndet Profesor Ramadan Zejnullahut dhe mbarësi në punën e tij me tekstet që i ka ndër duar.

Lajme të ngjashme