Kurti takohet me Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar
Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Londër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Sipas komunikatës për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar, duke e cilësuar si shtet mik dhe partner të rëndësishëm të Kosovës.
“Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin. Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme”, citohet të ketë thënë Kurti.
Në fushën e mbrojtjes, Kurti ka theksuar se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka nënvizuar gjithashtu potencialin e Kosovës për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.
Kryeministri në detyrë ka shtuar se Kosova tashmë është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon.