Kurti takohet me Lorik Canën: Diskutuam mbi punët e mira që po bëjmë në sport
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çekun, kanë takuar futbollistin Lorik Cana.
Kurti përmes një postimi ka treguar se kur është parë për herë të ditur me futbollistin Cana.
“Me Lorikun herën e fundit u patëm takuar këtë verë gjatë Kampionatit Europian të futbollit në Gjermani, në mbështetje të kombëtares shqiptare. Para pak ditësh, në Tiranë ai shfaqi dokumentarin për arbëreshët e Italisë. Shkëlqimi i tij në fushën e gjelbër si kapiteni ikonik i Shqipërisë, vazhdon me punët e mira që Loriku bën për promovimin e kulturës kombëtare shqiptare.” – ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se me Lorik Canën sot janë takuar për të diskutuar “mbi punët e mira që po bëjmë në sport”.
“Sot u pamë për të diskutuar mbi punët e mira që po bëjmë në sport. Në veçanti, vlerësuam rëndësinë e masivizimit të sportit e aktivitetit fizik, për t'i bërë pjesë të kulturës së përgjithshme të shoqërisë. Përherë kënaqësi biseda me Lorik Canën, djaloshin nga Gjakova që ka meritë të madhe në mirëmbajtjen e frymës së atdhedashurisë.” – ka shkruar Kurti.