Kurti takohet me emisarin e MB-së për Ballkanin, Stuart Peach: Flasin për dialogun dhe takimin e Brukselit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, për takimin e gjashtë ndërmjet tyre këtë vit, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim u diskutua për "marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3."
Në takim po ashtu u diskutuar edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët e shteteve evropiane.
"U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë." - thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.