Kurti takohet me dy ambasadorë, tregon çka biseduan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly, dhe ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.
Sipas Zyrës për Publik të Kryeministrisë, Kurti me dy ambasadorët ka diskutuar rreth iniciativës për krijimin e Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takim ishin të pranishëm edhe Komisioneri për Gjuhët, z. Slavisha Mladenoviq dhe këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve, znj. Elizabeth Gowing.
“Kryeministri e falënderoi ambasadorin Kolly për ndihmën e Ambasadës zvicerane për përkrahjen dhe ndihmën për krijimin e kësaj Njësie, nëpërmjet së cilës do të sigurohet përkthimi i saktë i ligjeve dhe akteve nënligjore, si dhe do të shqyrtohen ligjet e mëhershme që nuk janë përkthyer saktë në të dy gjuhët zyrtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.