Kurti: Protesta e 1 tetorit 1997, e theu dhe shembi figurën e mitizuar të “policit serb”
Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka përkujtuar protestën studentore të 1 Tetorit të vitit 1997.
Ai ka vlerësuar se kjo protestë i ka treguar regjimit kriminal të Serbisë dhe Perëndimit se shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur në rezistencën e tyre për jetësimin e vullnetit të tyre politik.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka treguar edhe efektet tjera të kësaj proteste.
“Rezistenca paqësore e popullit të Kosovës, e qendërzuar rreth organizimeve të lëvizjes studentore të studentëve të Universitetit të Prishtinës, i tregoi regjimit kriminal të Serbisë në Jugosllavi dhe botës demokratike në Perëndim, që shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur në rezistencën e tyre për jetësimin e vullnetit të tyre politik: për liri dhe për shtetndërtim”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera rreth kësaj proteste.
“Që nga viti 1991, regjimi i apartheidit i Serbisë që ishte instaluar në Kosovë mes viteve 1989 - 1991, i kishte përjashtuar studentët dhe profesorët nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, siç kishte bërë edhe me nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të mesme. Deri në shpërthimin e luftës në Kosovë, rreth 3000 shtëpi dhe lokale private u adaptuan në ambiente të improvizuara për zhvillimin e sistemit arsimor, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme. Protesta e 1 tetorit 1997, e theu dhe shembi figurën e mitizuar të “policit serb” të sfidueshëm siç e prishi edhe pasivitetin e tejzgjatur të rezistencës së viteve të fundit. Protestat studentore të kthyera në demostrata popullore, i paraprinë dhe iu bashkangjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999”, ka shkruar ai.
Duke i kujtuar shokët dhe shoqet studentë, profesorët e nderuar të Universitetit të Prishtinës dhe mijëra e mijëra qytetarë që patën vetëdijen dhe guximin për t’iu bashkuar lëvizjes studentore të UP-së në atë etapë aq të rëndësishme të rrugës së popullit të Kosovës drejt çlirimit të saj.