Kurti për Ukshin Hotin: E jetonte atë që e studionte, e studionte atë që e jetonte
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e ditëlindjes së 81-të të profesorit e mendimtarit politik, Ukshin Hoti, ka qëndruar në Universitetin e Prizrenit në ngjarjen e organizuar në kujtim të veprës së tij.
Kurti prej atje, ka thënë se Ukshin Hoti ka arritur formimin profesional e intelektual në moshë shumë të re.
“Pikërisht si kryediplomat i Kosovës shkruan edhe librin e parë të tij mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të titulluar “Lufta e Ftohtë dhe Detanti” në vitin 1976”, veçoi kryeministri. Ai e jetonte atë që e studionte dhe e studionte atë që e jetonte.” – ka thënë Kurti sipas zyrës së kryeministrit.
Tutje, Kurti bëri thirrje për rikthim te vepra e shembulli që ofron jeta e Ukshin Hotit.
“Le ta bëjmë këtë gjithnjë në frymën kritike që e mishëronte më së miri vetë ai. Kritika shoqërore e informuar nga një respekt i paepur për të vërtetën na duhet sot po aq sa edhe në kohën kur jetonte e vepronte Hoti. Sot kemi dy organe të mendimit shoqëror shqiptar, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Le të punojmë fort e bashkë që këto dy organe të bashkërendohen me njëri-tjetrin në interes të vullnetit, të drejtave e nevojave të kombit shqiptar.” – tha ai.