Kurti për Ligjin e ri për zgjedhjet: Ambasadat shërbejnë si qendra votimi - NACIONALE

Kurti për Ligjin e ri për zgjedhjet: Ambasadat shërbejnë si qendra votimi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth draftit të reformës zgjedhore.

Kurti ka shtuar se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet do të ketë shumë lehtësime për votimin e diasporës, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, drafti i të cilit u tha se do të shkojë shpejt për opinione në Qeveri, do t’i shndërrojë ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në qendra votimi gjatë zgjedhjeve.

“Në esencë, ky draft ligj i jep fund një padrejtësi të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit”.

Kurti ka folur për tri opsionet që i parasheh reforma.

“Ndërsa, për hedhjen e fletëvotimeve, ata do të kenë tri opsione: I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës. Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’i kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt; si dhe Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”, deklaroi Kurti.

“Mërgata jonë përbën rreth 1/3 të popullsisë së tërësishme të vendit, të cilët të lidhur ngushtë me vendlindjen dhe me një kontribut të madh ekonomik e politik si në të kaluarën, ashtu edhe tani, meritojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes në Kosovë. Për shkak të barrierave dhe procedurave burokratike, interesimi i tyre për vendlindje ka qenë gjithmonë më i lartë sesa pjesëmarrja në procese zgjedhore. Me ndryshimet sipas draft ligjit të ri, pjesëmarrja në zgjedhje do t’i përgjigjet interesimit dhe vullnetit për qenë pjesë e vendimmarrjes”, tha ai.

Lajme të ngjashme