Kurti për heroin Rrustem Bruqi: Lum Kosova që e pati ushtar deri në vdekjen e tij
Në Isniq të Deçanit është zbuluar shtatorja e heroit, Rrustem Bruqi, ku në këtë përurim ishte i ftuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka njoftuar se nuk mund të ishte i pranishëm, por i njëjti ka dërguar një telegram, i cili është paraqitur para të pranishmëve.
Në këtë telegram, Kurti ka thënë se Rrustem Bruqi ishte një njeri tejet aktiv, duke i shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe metodat, legale dhe ilegale, paqësore dhe të armatosur, për organizime dhe për rezistencë, për aktivizëm dhe deri për luftë çlirimtare.
“I angazhuar qysh nga demonstratat e pranverës së vitit 1981, Rrustem Bruqi u kthye në një njeri tejet aktiv, duke i shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe metodat, legale dhe ilegale, paqësore dhe të armatosur, për organizime dhe për rezistencë, për aktivizëm dhe deri për luftë çlirimtare. Kur i dëgjoni rrëfimet nga të afërmit dhe shokët e Rrustemit apo kur lexoni për jetën e tij nëpër tekste biografike, e kuptoni që një jetë e kaluar me aq shumë aktivitete si në Isniq e në Deçan sa ishte në Kosovë, ashtu edhe gjatë katër viteve që i kaloi në Gjermani, nuk mund të përmbyllej ndryshe veçse ashtu si u përmbyll. Andaj natyrshëm, në qershor të vitit 1998, Rrustemi u kthye nga Gjermania në Kosovë duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontet e luftës. Dhe po kaq natyrshëm, Rrustem Bruqi ra dëshmor më 6 korrik 1998, duke e përmbyllur jetën dhe veprën e tij me aktin më sipëror të një individi për liri, si dëshmor i popullit dhe vendit të tij në luftën e tij të drejtë për çlirim.” – ka shkruar Kurti.
Në fund ai ka thënë se lum Kosova që pati një ushtar të saj si heroi Rrustem Bruqi.
“Lum familja Bruqi dhe Isniqi që e rriti e formoi dhe lum Kosova që e pati ushtar të saj deri në vdekjen e tij, Rrustem Bruqin, dëshmorin e lirisë së Kosovës. Lavdi Rrustem Bruqit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.” – ka përfunduar Kurti.