Kurti: Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi një mijë operacione policore kundër korrupsionit - NACIONALE

Kurti: Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi një mijë operacione policore kundër korrupsionit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është lavdëruar për punën e qeverisë së tij në luftimin e korrupsionit.

Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, përmes një video-mesazhi të postuar në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka thënë se gjatë qeverisjes se tij janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit.

“Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit. Oligarkët e duan shtetin si anije tregtare e jo si republikë demokratike: ata që kanë më shumë mall përcaktojnë drejtimin e anijes. Me qeverisjen tonë progresiste Kosova e pavarur është republikë demokratike dhe jo anije tregtare”, ka thënë Kuti, duke shtuar se nën qeverisjen e tij është ndalur gjakderdhja financiare.

“Gjakderdhja financiare, skamja e shërbimeve institucionale, keqmenaxhimi i parasë publike e krimi brenda organeve shtetërore e të qeverisë kanë marrë fund. Me përkushtim, duke vendosur dinjitetin mbi çdo gjë, kemi nisur luftimin e korrupsionit nga brenda për ta shtrirë mbi çdo segment të shoqërisë tonë. Në fillim të qeverisjes jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International. Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë”, është shprehur ai.

Më tej, ai ka thënë se qeveria e tij kërkon gjyqësor të pavarur.

“Duam gjyqësor të pavarur, prokurorë efikas e gjyqtarë që veprojnë me urtësi e mençuri. Këtë do bëjmë me veting në sistemin gjyqësor, të mbështetur nga ligjet që kemi dërguar në Kuvend. Vetëm në një vit qeverisës kemi miratuar mbi 80 ligje, afat i paarritur ndonjëherë nga ndonjë qeveri paraprake”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme