Kurti mirëpret në takim përfaqësuesit e Komitetit Olimpik: Kosova do të vazhdojë përkrahjen ndaj të rinjve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Temë diskutimi ishin Lojërat Olimpike që do të mbahen në Paris, ku pjesë e këtij takimi ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, shkruan Zyra e Kryeministrit.
“Potenciali i sportistëve të Kosovës është dëshmuar përmes fitoreve të shënuara në garat më prestigjioze sportive. Në bashkëpunim me Komitetin Olimpik, përmes Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Qeveria e Republikës së Kosovës do vazhdojë përkrahjen ndaj të rinjve tanë e kapacitetit të jashtëzakonshëm të tyre sportiv, si njërit prej ambasadorëve më të mirë të shtetit tonë në botë”, shkruan ZKM.
Në këtë takim u diskutua edhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, nikoqire e të cilave është edhe Republika e Kosovës.