Kurti me shall të Ballkanit shkon në stadium: Kemi nevojë edhe për tri pikë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një video në veturë duke shkuar në stadiumin Fadil Vokrri, për ndeshjen Ballkani – Sivasspor. Ai ka dhënë një mesazh duke thënë se kampioni i Kosovës ka nevojë për këto tri pikë.
“Trajneri ju mbikëqyr e ne tifozët do t’ju këqyrim sonte nga tribunat e stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Shihemi nga ora 21:00, në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për Kosovën e Ballkanin, për spektaklin në fushë nuk kam dyshim, për përkrahjen në tribuna mos keni merak. Kemi nevojë edhe për këto tri pikë, forca djema”, thotë Kurti në videon e publikuar në Facebook.
Kujtojmë se suharekasit zhvillojnë sot ndeshjen e katërt në Ligën e Konferencës, ku në tri ndeshjet e para të zhvilluara pozicionohen si të parët në tabelë, me pikë të barabarta me tri skuadrat tjera por për shkak të numrit të golave më shumë të shënuar.