Kurti me analizë për sulmin në Ibër-Lepenc, thotë se Vuçiq e bëri për dy arsye
Për të ndalur kulmimin e protestave në Serbi dhe të eskternalizojë krizën e brendshme. Kështu tha Albin Kurti i Vetëvendosjes të ketë qenë qëllimi i Aleksandër Vuçiqit, me rastin e goditjes së kanalit të Ibër-Lepenciut në nëntor të vitit të kaluar.
Dy qëllime i ka pasur Vuçiqi, sipas Kurtit. “(...)Të eksternalizojë krizën e brendshme... dhe të ndalojë përrshkallëzimin e mëtejmë të protestave, dhe ky duket të ketë qenë qëllimi i dytë i pushtetit në Serbi”, tha ai.
Postimi i plotë:
Sipas të gjitha indikacioneve, regjimi i Aleksandar Vuçiqit, i përballur me një valë protestash në rritje që rrezikonin drejtpërdrejt stabilitetin e tij politik, zgjodhi të godasë Kosovën dhe të eksternalizojë krizën e brendshme.
Përmes një sulmi të kryer nga struktura të ndërlidhura me shërbimet ushtarake të inteligjencës, tre javë pas tragjedisë në Novi Sad dhe dhjetë ditë para protestës së parë të paralajmëruar në Beograd, u tentua zhvendosja e krizës nga Beogradi drejt veriut të Kosovës. Sepse qëllimi i sulmit përveç se të fuste Kosovën në kolaps energjetik dhe të shërbimeve esenciale, ishte edhe të krijohej pasiguri te qytetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe.
Sulmi ndaj kanalit të ujit në Varagë, Zubin Potok, ka ndikuar në ngurtësimin e reagimit qytetar në Serbi, duke ndalur përshkallëzimin e mëtejmë të protestave, dhe ky duket të ketë qenë qëllimi i dytë i pushtetit në Serbi.
Ky grafik dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë sipas modeleve të vjetra të prodhimit të krizave, të ngjashme me praktikat e periudhës së Millosheviqit, duke gjeneruar qëllimisht tensione përreth saj për të ruajtur pushtetin e brendshëm.
Metodat hibride ruse vazhdojnë të shërbejnë si një “doracak reference” për destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Pas agresionit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, edhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Republikën e Kosovës përbën një tjetër akt të kryer nga aktorë shtetërorë të Serbisë, në bashkëpunim me struktura parashtetërore, përfshirë terroristin Millan Radoiçiq dhe pjesëtarë të tjerë të rrjetit të tij kriminal-terrorist.
Republika e Kosovës u bën thirrje partnerëve të saj ndërkombëtarë që këto zhvillime të mos trajtohen si incidente të izoluara sigurie, por të kuptohen si pjesë e një modeli sistematik të destabilizimit të sponsorizuar nga shteti, i cili rrezikon paqen e stabilitetin rajonal, rendin demokratik dhe arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Përgjegjësia për këto veprime tashmë është sqaruar; nevojiten sa më shpejt hapa konkretë sanksionues, për të parandaluar përsëritjen e tyre.