Kurti kujton Demaçin: Sinonim i qëndresës dhe rezistencës - NACIONALE

Kurti kujton Demaçin: Sinonim i qëndresës dhe rezistencës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një shkrim të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, Kryeministrin i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar aktivistin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në vjetorin e vdekjes së tij.

Kurti ka shkruar se Demaçi është një sinonim i qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb, teksa në një status të gjatë të tij, ka thënë se Demaçi ishte idealist dhe se qënia e tij është mishëruar me lirinë.

“Emri i Adem Demaçit është sinonim i qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët. Ai ishte veprimtari më unik dhe më autentik. Idealisti që qëndroi 28 vite në burgjet gjithandej ish-Jugosllavisë. Dy prej tyre, Pozharevcin e Nishin, dhjetëfish më pak në kohëzgjatje, do t’i përjetoja edhe unë, pasi isha arrestuar nga policia serbe, ndër tjera edhe si bashkëpunëtor i Adem Demaçit. Aty pashë vendet ku Baca Adem ishte kalitur politikisht, shpirtërisht e fizikisht, duke kujtuar rrëfimet e dëgjuara prej tij për vitet e shumta të kaluara në ato burgje”, shkruan Kurti ndërsa kujton se edhe ai kishte qenë i burgosur në disa prej burgjeve serbe ku ishte edhe Demaçi, ndonëse ky i pari qëndroi për një kohë më të shkurtër.

“Më 1997, Baca Adem Demaçi mbështeti protestat e organizuara nga ne studentët e Universitetit të Prishtinës. Pas shpërthimit të luftës, më 13 gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e emëroi Adem Demaçin përfaqësues politik të UÇK-së. Këtu pata fatin t’i bashkohem në zyrën e tij në Prishtinë, në lagjen Tophane, si sekretar i tij, për mbi gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe, ai afirmoi e mbrojti politikisht UÇK-në në mes të Prishtinës, duke takuar diplomatë ndërkombëtarë dhe mbajtur konferenca për media, si zë i një force politike dhe ushtarake që luftohej nga Serbia”, shtoi ndër tjerash Kurti.

Kurti i ka kushtuar një pjesë të shkrimit edhe aktivizmit të Demaçit në periudhën e pasluftës, ku Kurti thotë se ai e përfaqëson më së miri thënien e Hegelit se “historia është përparimi i vetdijes së popujve për liri”.

Lajme të ngjashme