Kurti: Kosova është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve
Kryeministri Albin Kurti ka mbledhur sot Qeverinë e Kosovës për për nderë të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë mbledhje solemne, ai është shprehur krenar me të arriturat e shtetit të Kosovës.
Ai ka vlerësuar se Republika e Kosovës do të jetë shtëpi e të gjithëve.
“Ne qëndrojmë krenar sepse përkundër sfidave shteti jonë po zhvillohet. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe i pandashëm. Ashtu sikurse u shpallë 16 vjet më parë, Kosova është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim, andaj ne urojmë jo vetëm shqiptarët por të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Kurti, raporton EO.
Ai ka bërë me dije se çdo ditë duhet të punohet për të forcuar shtetin e Kosovës.
“Sot është ditë feste por çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealin dhe programin tonë qeverisës. Të angazhohemi dhe të përkushtohemi përditë që të marrim forcë nga paraardhësit tanë e duke u frymëzuar nga brezat e rinj të lirisë”, është shprehur Kurti.
Më tej, ai ka falënderuar për mbështetjen që po ia bëjnë Kosovës.
“U jemi falenderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë.”, ka thënë Kurti