Kurti i tregon cilësitë e “liderit të mirë e të madh”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për “cilësitë” që sipas tij, e definojnë një lider të mirë e të madh.
Sipas zyrës së Kryeministrit, ai këto deklarata i ka bërë në konferencën “Lidershipi në kohë sfiduese”, të organizuar nga kolegji UBT.
“Dy cilësitë kryesore të një lideri të mirë, sipas kryeministrit, janë efektiviteti pragmatik për të tërhequr dhe mirëmbajtur ndjekës ose mbështetës, dhe përkushtimi parimor ndaj një kauze të drejtë, sepse pragmatizmi pa parime është bosh, kurse parimi pa pragmatizëm është i pafrytshëm. Ndërkaq, duke folur për cilësitë që e përcaktojnë një lider të madh, ai tha se ata definohen nga vullneti për të sakrifikuar interesin e tyre për një kauzë më të madhe. Pra, liderët e mëdhenj janë aq të dedikuar ndaj parimeve të tyre dhe aq të vendosur për t’i mbrojtur ato në mënyrën më të mirë, sa që janë të gatshëm të sakrifikojnë interesin e tyre personal.” – ka thënë ai.
Si shembull për këtë, ai e ka cilësuar ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln.