Kurti i kërkon Stoltenbergut “bashkëpunim të ngushtë me NATO-n për paqe dhe siguri”
Zyra e Kryeministrit ka lëshuar komunikatë lidhur me takimin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të zhvilluar në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë.
Më tej aty thuhet se kreu i qeverisë së Kosovës i ka shprehur shqetësimin Sekretarit të NATO-s lidhur me “praninë e 48 bazave të përparme operacione serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri.”
ZKM gjithashtu njoftoi se Kurti listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë “sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe.”
Ai më tej ka thënë se “sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92. Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe.”
Kryeministri Kurti kërkoi nga Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë.