Kurti i kërkon Facebookut heqjen e kufizimeve për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditëne tretë në Forumin Ekonomik Botëror u takua me zëvendëspresidenten për Politika të Përmbajtjes në Meta, Monika Bickert.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti ka kërkuar nga rrjeti social Facebook që të heqë kufizimet që vlejnë për përdoruesit në Kosovë, duke e ftuar atë që ta vizitojë Kosovën për të konsideruar mundësitë e bashkëpunimit dhe për të marrë pjesë në ngjarjet që planifikohen të organizohen në Prishtinë në fushën e teknologjisë.
“Ndër çështjet kryesore që u diskutuan në takim ishte zgjerimi i mundësive të monetizimit në Facebook për Kosovën. Aktualisht, vendi ynë përballet me kufizime për të shfrytëzuar shumicën e veçorive të monetizimit në Facebook. Hyrja e monetizimit në Kosovë mund të liberalizojë ndjeshëm tregun, duke krijuar mundësi të konsiderueshme për krijuesit lokalë për të përfituar përmes platformës së Facebook-ut”, thuhet në njoftim.