Kurti: I jemi përjetësisht falënderues Zvicrës për solidaritetin me Kosovën
Zvicra sot shënoi 731-vjetorin e saj si shtet, ku edhe jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë.
Rreth përvjetorit të shtetësisë së Zvicrës, ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një ngjarje të organizuar nga Ambasada e Zvicrës.
Kurti ka ururar 731-vjetorin e krijimit të Konfederatës Helvetike dhe ka shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që Zvicra ia ka dhënë Kosovës në rritjen e mirëqenies ekonomike dhe shoqërore.
“Ne kurrë nuk harrojmë dhe jemi përjetësisht falënderues për solidaritetin popullor e shtetëror të Zvicrës në periudhën më të vështirë të popullit të Kosovës, qoftë me ndihma të drejtpërdrejta qoftë për mikpritjen e dhjetëra mijëra refugjatëve nga Kosova gjatë luftës 1998-1999, si dhe për veprimin diplomatik të Konfederatës Zvicerane, e cila ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës, më 27 shkurt 2008”, tha Kurti.
“I gëzohemi çdo suksesi dhe angazhimi të bashkatdhetarëve tanë për rritjen e mirëqenies dhe lartësimin e imazhit të Zvicrës, e po ashtu jemi krenarë për kontributin e tyre në fushën politike, ekonomike, në sport, shkencë, art, dhe fushat tjera të shoqërisë zvicerane”, shtoi ai.