Kurti: Hartimi i ligjit dhe statutit të Fondit Sovran kërkon kohë
Sot është mbledhur Grupi i ekspertëve për të hartuar ligjin dhe statutin e Fondit Sovran të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi të lëshuar nga Zyra e Kreyministrit të Kosovës, ku thuhet se dy dokumentet do të themelojnë dhe funksionalizojnë Fondin Sovran, si organizatë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që ishte pjesë e kësaj punëtorie, tha se hartimi i ligjit dhe statutit të Fondit kërkon kohë, përkushtim dhe dedikim teksa i falënderoi grupin e ekspertëve për gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim, gjatë kësaj punëtorie u trajtua puna e deritanishme dhe u diskutuan planet kohore për draftet e para.
“Qeveria e vendit, në mbledhjes e 81-të të saj kishte miratuar Koncept Dokumentin e Fondit Sovran i cili përcakton qëllimet, funksionin dhe mandatet e Fondit, si dhe parasheh gjithë procesin që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit”, thuhet tutje në njoftim.
Në njoftim tutje thuhet se ky Fond do të administrojë ndërmarrje e asete të Republikës me potencial zhvillimor, duke përmirësuar qeverisjen dhe duke rritur vlerën e tyre, me synim zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
