Kurti: Gratë në Kosovë kanë qenë viktima dhe luftëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalë rasti në Forumin për Gratë, Paqen e Sigurinë.
Ai ka thënë se në Kosovë ka interesim tejet të madh nga gratë për t’u bërë pjesë e fushave të sigurisë. Ai shtoi se në Kosovë, gratë kanë qenë viktima dhe luftëtare qysh nga koha e luftës.
“Garancia më e madhe, më e drejtë dhe më e fuqishme: më shumë gra në Forcat e Armatosura nënkupton më shumë të drejta. Interesimi i grave për këto fusha të sigurisë është indikacion i madh. Gratë kanë qenë në Kosovë edhe viktima, edhe luftëtare. Kanë kontribuuar në demokratizimin e institucioneve të Republikës. Është detyrim i imi t’i inkurajoj ato. Gratë, jo vetëm që i kanë ndihmuar politikat e sigurisë, por i kanë udhëhequr vetë. Populli u beson grave po aq sa burrave. E kemi caktuar komandante supreme Vjosa Osmani-Sadriun. Përkundër ndryshimeve pozitive si shoqëri e shtete, sfidat qëndrojnë. E vërejmë në secilin institucion”, deklaroi Kurti.
“E shpreh gatishmërinë time në mbështetje të rolit të grave në arritjen e paqes dhe sigurisë. Ky është synimi i parë i programit të Kosovës 2020-2024. Do të angazhohemi të gjithë së bashku. Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është e detyrueshme”, tha kryeministri i Kosovës.
“Nëse gratë nuk kanë zë në institucione, edhe reagimi do të jetë gjysmak. Gratë duhet të njihen për kontributin e tyre, sepse kjo njohje u është mohuar për tepër shumë kohë. E meritojnë ta kenë atë. Kur flasim për paqen, përfundojmë duke folur për drejtësinë, kur diskutojmë për drejtësinë, përfundojmë duke folur për demokracinë, pastaj për gratë e kështu me radhë”, përfundoi ai.