Kurti për BBC: Me ShBA-në dhe BE-në s'pajtohemi për të gjitha çështjet
Në një intervistë për BBC News, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur se a është i gatshëm për të ulur tensionet, ka thënë se ka ofruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për komunat veriore sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mundësohet krijimi i një mjedisi të drejtë dhe të hapur të fushatës për zgjedhje të lira dhe demokratike. I pyetur më tej se pse kryeministri Kurti nuk i dëgjoi thirrjet e ndërkombëtarëve, ai u përgjigj duke thënë se ka komunikim të rregullt me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, por tha se kjo nuk do të thotë se ka marrëveshje në çdo gjë, duke aluduar në angazhimin e tij për respektimin dhe ruajtjen e rendit juridik kushtetues dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
BBC: Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë ju kërkuan që të mos e bëni këtë (shpalljen e organizatave "Mbrojtja Civile" dhe "Brigada e Veriut" terroriste). Nuk kërkuat këshillën e tyre, thjesht e bëtë atë, pse?
"Ne vazhdimisht komunikojmë dhe koordinojmë si me BE ashtu edhe me SHBA dhe më pas duhet të respektoj dhe zbatoj kushtetutshmërinë rendin juridik dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Unë jam kryeministër i Kosovës sepse Kosova është Republikë. Pesë ditë para se të merrnim këtë vendim që ne i shpallëm këto organizata organizata terroriste, ata u njoftuan se çfarë do të bëjmë. Pra, ne koordinohemi. Kjo nuk do të thotë se ne pajtohemi gjatë gjithë kohës për të gjitha çështjet", - tha Kurti.