Kurti flet në telefon me Peach, diskutojnë për takimin e 14 shtatorit me Vuçiqin
Albin Kurti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, sonte ka realizuar një bisedë telefonike me të Stuart Peach, emisar special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti bisedoi me Peach në lidhje me takimin e 14 shtatorit në Bruksel, ku pritet të takohet Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Folën për çështjet aktuale, duke përfshirë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut me 14 shtator në Bruksel. U theksua nevoja për zbatimin e shpejt, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër. Ata po ashtu folën edhe për situatën politike dhe të sigurisë në rajon”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.