Kurti: Daci, figurë e rëndësishme e shtetndërtimit dhe shkencës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit, ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili ka vdekur në ditën e parë të vitit 2026.
Kurti ka rikujtuar se Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, duke e udhëhequr këtë institucion në dy mandate, si dhe një nga figurat më aktive të jetës politike në Kosovë gjatë viteve 2001–2011. Ai ka theksuar edhe rolin e tij si nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Në reagimin e tij, Kurti ka vënë në pah edhe kontributin e madh akademik të Dacit, si profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës dhe si kryetar i ASHAK-ut në dy periudha të ndryshme, duke e cilësuar atë si autor të shumë punimeve shkencore në fushën e kimisë.