Kurti: Serbia ka shkelur 8 nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, BE-ja duhet të reagojë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj shkeljeve të marrëveshjes që po i bën Serbia.
Në një konferencë për medie, pas takimit me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, Kurti ka thënë se shkeljet e Serbisë janë të shumta dhe nuk janë të vogla.
Ai ka bërë me dije se Kosova kërkon siguri ligjor për zbatimin e marrëveshjeve.
“Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim të marrëveshjes, por edhe për respektim dhe mos shkelje të saj. Kjo është arsyeja pse kemi kërkruar nënshkrim. Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton marrëveshje normale. Normalizimi duhet të jetë normal, prandaj ne insistojmë në nënshkrim të marrëveshjes. Dhe kërkojmë nga BE-ja si një arbitër gjithmonë të reagoj ndaj shkeljeve më të vogla që mund të bëhen e fatkeqësisht ati janë edhe të shumta dhe nuk janë të vogla”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurti, Serbia ka shkelur 8 nga 11 nenet e marrëveshjes.
“Dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior dhe marrëdhëniet normale janë marrëdhëniet evropiane të fqinjësisë së mirë. Është e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian që paraqet edhe fatin tonë, por edhe synimin tonë. Më 27 shkurt, jemi dakorduar për Marrëveshjen Bazike dhe më 18 mars, për Aneksin e Zbatimit. Problemi është që nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”, ka thënë Kurti.