Kurti flet për kohën në burg: Takoja njerëz që vinin nga fshatrat, më ka ndihmuar të organizoj njerëzit
Në një intervistë në podcast-in "The Rest is Politics", kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndau rrëfimin e tij nga burgu në Serbi gjatë periudhës së bombardimeve në Kosovë.
Kurti tregoi për përvojën e tij të ndalimit, duke përshkruar burgun si një vend ku kishte mundësi të lexonte dhe të mësonte, por edhe si një vend ku ai u përball me tortura dhe vuajtje të shumta.
Megjithatë, nën këto kushte të vështira, ai gjithashtu shprehet se kjo përvojë e tij në burg ishte një mësim i rëndësishëm për të.
“Në burg ka kohë për lexim. Është vend tamam për të lexuar, pa telefona mobilë, pa pije dhe mendoj se kam pasur dobi prej kësaj. Në të njëjtën kohë, të jesh një person i klasës së mesme, urban. Unë aty takoja njerëz që vinin nga fshatrat dhe kjo ka qenë e pazëvendësishme për aftësinë time për të organizuar njerëz kur kam dalë jashtë . Kur kam dalë nga burgu e krijova organizatën saktësisht sepse dija se si të flas dhe si të lidhem me njerëz nga fshati”, tha ai.