Kthimi i trupave serbë në Kosovë, Kurti: Vuçiqi do të kthehet në kohë, por ka ikur ai tren
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
Në një interviste për gazetën gjermane 'DerSpiegel', Kurti ka thënë se Vuçiq do të kthehet në kohë, por ky tren ka ikur.
“Duket sikur Vuçiç dëshiron ta kthejë Serbinë prapa në kohë. Por ky tren ka ikur. Është sqaruar statusi juridik ndërkombëtar i Kosovës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi një herë e mirë në favor të Deklaratës sonë të Pavarësisë. Nuk ka gjykatë më të lartë në këtë planet”, ka thënë Kurti.
Një javë më parë Vuçiq, kishte thënë se Beogradi do t'i dërgojë një kërkesë komandantit të KFOR-it për të siguruar dislokimin e forcave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
