Kthehen mbetjet e pengut të fundit izraelit që kishte mbetur në Gaza
Mbetjet e rreshterit policor izraelit, Ran Gvili, i cili ishte vrarë gjatë luftimeve me militantët e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, janë kthyer në Izrael.
Militantët e kishin marrë trupin e Gvilit dhe e kishin dërguar në Gaza për ta përdorur si peng. Ai ishte i fundit nga 251 njerëzit e kapur atë ditë dhe që po mbaheshin në enklavë, raporton gazeta “The Guardian”.
“Me këtë, të gjitha pengjet janë kthyer nga Rripi i Gazës në Shtetin e Izraelit” – thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.
Dorëzimi i trupit të policit e shënon përfundimin e një kërkese fillestare në planin e presidentit Donald Trump për armëpushimin në Gaza. Plani tani duhet të jetë në fazën e dytë, për të cilën ShBA-ja tha se kishte filluar më herët këtë muaj.
Izraeli ka thënë se pikëkalimi jetik kufitar në Rafah mes Gazës dhe Egjiptit do të hapej për trafik, kur trupi i Gvilit të ishte rikthyer. Kjo pikë ka qenë e mbyllur që nga maji i vitit 2024, kur ishte marrë nën kontroll nga trupat izraelite.
Megjithatë, pikëkalimi do të jetë i hapur vetëm për këmbësorët, prandaj nuk do ta lehtësojë mungesën e ushqimit dhe ndihmave për strehim, ilaçe e mallra të tjera themelore humanitare në Gaza dhe Izraeli do ta mbajë kontrollin e plotë mbi secilin që hyn e del nga enklava, sipas mediave izraelite.