Kryeziu: Votimi i fshehtë cenon parimet e transparencës, llogaridhënies dhe vlerat e demokracisë - NACIONALE

Kryeziu: Votimi i fshehtë cenon parimet e transparencës, llogaridhënies dhe vlerat e demokracisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë me dije votimi i fshehtë për kryetar të Kuvendit, të cilin po mundohet të imponojë VV-ja, e cenon parimet e transparencës, llogaridhënies dhe vlerat themelore të demokracisë.

Kur është vetëm një kandidat në garë, sipas tij, votimi i fshehtë e humb kuptimin.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar vota e fshehtë nuk garanton integritet.

“Përtej interpretimit kushtetues, votimi i fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, cenon parimet e transparencës, llogaridhënies dhe vlerat themelore të demokracisë. Sidomos kur ekziston vetëm një kandidat, pa asnjë formë gare apo alternative, ky proces jo vetëm që humb kuptimin, por ngjall dyshime serioze për pazare politike, marrëveshje dhe shpërblime të fshehta, si dhe mungesë guximi për të marrë përgjegjësi publike. Në këtë kontekst, vota e fshehtë nuk garanton integritet – përkundrazi, e zëvendëson transparencën me një proces që perceptohet si i manipuluar dhe i dyshimtë”, ka shkruar Kryeziu, duke shtuar se deputetët nuk mund ta fshehin votën.

“Deputetët nuk janë të zgjedhur për të vepruar si individë të shkëputur nga vullneti i qytetarëve. Ata janë përfaqësues publikë dhe, si të tillë, kanë përgjegjësinë të votojnë hapur – veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, një figurë që do të duhej të përfaqësonte balancën dhe unitetin institucional. Sa herë që deputetët e fshehin votën, ata i mohojnë qytetarit të drejtën për të ditur kush qëndron pas një vendimi – aty ku fshihet përgjegjësia, zbehet legjitimiteti dhe vlera e përfaqësimit”, ka shkruar Kryeziu.

Lajme të ngjashme