Kryeziu: “Qeveria 2.5” që po e cilëson Kurti, koncept që bie ndesh me çdo standard demokratik - NACIONALE

Kryeziu: “Qeveria 2.5” që po e cilëson Kurti, koncept që bie ndesh me çdo standard demokratik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka thënë se cilësimi i kryeministrit në largim për “Qeverinë Kurti 2.5” bie ndesh me çdo standard demokratik.

Në një shkrim në Facebook, ai ka pyetur se si mund të ekzistojë një qeveri e tillë që nuk ka marrë asnjë votë të re nga Kuvendi.

“Pas zgjedhjeve të shkurtit, kemi hyrë në një fazë ku, përmes interpretimeve të diskutueshme kushtetuese dhe shfrytëzimit të boshllëqeve ligjore, partia në pushtet po përpiqet ta ruajë dhe ta ushtrojë pushtetin përtej mandatit të dhënë nga qytetarët. Madje, ish-kryeministri Kurti këtë fazë po e cilëson si “Qeveria Kurti 2.5” – një koncept që bie ndesh me çdo standard demokratik. Si mund të ekzistojë një qeveri “2.5” që nuk ka marrë asnjë votë të re nga Kuvendi, nuk ka kaluar asnjë procedurë zgjedhore dhe nuk gëzon mandat të ri? Nga buron legjitimiteti i saj? Nga qytetari, JO. Nga Kuvendi, JO. Nga Kushtetuta, JO. Vetëm nga vullneti për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, duke penguar krijimin e institucioneve të reja” – ka shkruar ai.

Tutje, Kryeziu ka thënë se kjo qasje jo vetëm që shkel parimet e ndarjes së pushteteve, por minon rëndë vlerat demokratike.

“Kjo qasje jo vetëm që shkel parimet e ndarjes dhe balancës së pushteteve, por minon rëndë vlerat demokratike dhe rrezikon stabilitetin institucional të vendit. Demokracia nuk matet vetëm me rregullsinë e zgjedhjeve apo pranimin formal të rezultateve – ajo matet me kompromiset dhe ndarjen reale të pushteteve, ose dorëzimin e pushtetit kur nuk ke më mandat për ta ushtruar. Tranzicioni i pushtetit nuk është opsional në demokraci” – ka thënë Kryeziu.

Postimi i plotë:

Lajme të ngjashme