Kryeziu për pushtetin: Nuk e di nëse e kanë keqkuptuar sistemin demokratik, apo kanë tendenca për pushtet absolut
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se pushteti ka simptoma të autokracisë.
Ai ka thënë se kur sheh arrogancën, sulmet ndaj mediave dhe ektiketimet se opozitës si armiq të shtetit, janë disa nga aryset që sipas tij, pushteti e ka keqkuptuar demokracinë.
“Nëse i lexon deklaratat e të zgjedhurve që sot janë të veshur me petkun e pushtetit, nuk e di nëse e kanë keqkuptuar llogaridhënien dhe rolin e tyre në sistemin demokratik, apo kanë tendenca për pushtet absolut. A po të dyja së bashku!?” – ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë:
Nëse i lexon deklaratat e të zgjedhurve që sot janë të veshur me petkun e pushtetit, nuk e di nëse e kanë keqkuptuar llogaridhënien dhe rolin e tyre në sistemin demokratik, apo kanë tendenca për pushtet absolut. A po të dyja së bashku!?
Një pushtet i konsoliduar me mbi 51% dhe që udhëheq me arrogancë, mbivoton secilin argument të opozitës, është i shurdhër ndaj të drejtave dhe kërkesave të pakicës (49%), nxit dhe promovon përplasje shoqërore, shpreh synim për zgjerim të pushtetit me arsyetimin se nuk ka mjaftueshëm pushtet, portretizon opozitën dhe kritikët e qeverisë si armiq të shtetit ose si pjesë e një komploti kundër interesave shtetërore, dhe përhap teori konspirative për të kontribuar në një ambient mosbesues ndaj mediave të pavarura.
Këto, nëse nuk janë simptoma të një tendence të fuqishme drejt autokracisë, së paku nuk përfaqësojnë as vlera dhe as promovim të demokracisë, transparencës dhe qeverisjes llogaridhënëse.