Kryeziu: Bashkangjitja e një subjekti opozitar në pushtet pa marrëveshje politike është akomodim personal
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se bashkangjitja e një partie opozitare me partinë në pushte pa një marrëveshje politike është akomodim personal.
Ai ka bërë me dije se një veprim i tillë do të ndikonte negativisht në partinë që o ta bënte.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se kush do të fitonte nga një gjë e tillë.
“Bashkangjitja e një subjekti opozitar në pushtet, pa një marrëveshje të qartë politike mbi politikat, ligjet apo vendimmarrjen gjatë qeverisjes, reduktohet në akomodim personal të një stafi partiak brenda pushtetit. Kjo mënyrë e të bërit politikë nuk e rrit partinë, nuk krijon frymëzim dhe as nuk shërben si motiv për të rritur elektoratin. Të qenët në pushtet, pa një ide të qartë politikbërjeje, nuk garanton rritje të bazës elektorale; përjashtim bën vetëm rrethi i ngushtë i grupeve të interesit, përfshirë strukturat partiake, të cilat orientohen drejt përfitimit të vendeve të punës dhe beneficioneve të tjera”, ka shkruar ai.