Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë: Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë - NACIONALE

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë: Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në konferencë për media pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm.

Spiropali që qëndroi të mërkurën për vizitë në Kosovë, ka thënë se Kosova është prioritet kombëtar.

“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm, është binom stabilizues e orientues për të nesërmen tonë dhe të gjithë rajonit. Ne kemi biseduar që si kryetarë të parlamenteve t’u sugjerojmë qeverive konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës, duke e bërë atë model inkurajues për bashkëpunim rajonal ndërshqiptar e më gjerë.” – ka thënë ajo.

Më tej, ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi

“Dialogu Kosovë – Serbi në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik SHBA-në e BE-në, duhet të ketë medoemos si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht që mundëson njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB e BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform kushtetutës…Është proces i gjatë por herët a vonë në fund të tunelit do të ketë medoemos një dritë, që do të dëshmojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik – republikën më të re evropiane të Kosovës.” – ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme