Kryetari i Odës së Hotelierisë “kapet” me analistët: S’ka ikje masive të punëtorëve
Kryetari i Odës së Hotelierisë, Hysen Sogojeva, ka folur rreth ikjes së punëtorëve dhe kushtetve të punës në Kosovë.
Në një prononcim për EO, Sogojeva ka vlerësuar se nuk ka ikje masive të punëtorëve, ndërsa ka pasur kritika ndaj “analistëve e disa njerëzve”, të cilët, sipas tij, po e ekzagjërojnë ikjen e punëtorëve.
“Edhe pse kemi paralajmërime që do të kemi një lëvizje pak më të madhe të punëtoreve, megjithatë deri më tani nuk është vërejt shumë. Por shihen tendencat, ka raste që çdo ditë ka dy, tre, katër biznese më lajmërojnë se janë në mungesë të punëtoreve. Mirëpo nuk kemi fluks të hovshëm, mendojmë që ndoshta pas tre mujorit të parë ndoshta do të ketë për shkak të përmirësimit të kohës dhe atje qytetaret gjejnë punë në perëndim. Ndoshta do të ketë ndonjë kusht, por mendoj që ajo që duhet të potencohet është se nuk është me ajo Evropa që jep para” - ka deklaruar ai.
“Deri më tani nuk kemi lëvizje, nuk ka lëvizje masovike. Nuk duhet që të fryhen gjërat, se kanë filluar disa analistë e disa njerëz po ekzagjerojnë këtë numër të largimit të punëtorëve, nuk është ashtu.” – shtoi ai.