Kryetarët e komunave kërkojnë takim me kryeministrin, kanë 5 çështje për t`i diskutuar
Kryetarët e komunave të Kosovës kanë kërkuar takim me kryeministrin Albin Kurti.
Në kërkesën për takim, ata kanë bërë me dije se duan t`i diskutojnë me të parin e Qeverisë shqetësimet, nevojat e komunave të tyre.
Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për gazetën Nacionale se kryetarët kanë propozua që në ketë takim të diskutohet pesë tema: Tatimi në pronë - Ligji i ri për tatimin në pronë si dhe mundësia e faljes së 100 euro përmes ligjit; Procedurat e rekrutimit në shërbimin publik; Të hyrat vetanake dhe buxheti për Komunat; Pronat e administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe nga Agjencia e Pyjeve e që mund të jenë në interes të komunave; Grantin e Katërt për Komunat, procedimin e ligjit për financa lokale.
“Kjo kërkesë, në emër të Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kryetari i AKK-së z.Agim Aliu është adresuar tek Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti, ku ka kërkuar një takim mes Qeverisë së Kosovës dhe Kryetarëve të Komunave për të debatuar temat dhe çështjet që preokupojnë aktualisht Komunat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ibrahimi.