Kryetarët e komunave dorëzojnë kërkesat e tyre në Qeveri - NACIONALE

Kryetarët e komunave dorëzojnë kërkesat e tyre në Qeveri

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetarët e komunave kanë dorëzuar në objektin e Qeverisë kërkesat e tyre, pas protestës së mbajtur sot në Prishtinë.

Pas protestës së organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, shumica e kryetarëve të komunave kanë vazhduar aksionin duke dorëzuar kërkesat e tyre në objektin e Qeverisë.

Protesta është organizuar me kërkesën për respektimin e kompetencave të pushtetit lokal dhe zhbllokimin e çështjeve financiare, të cilat, sipas komunave, po vështirësojnë funksionimin e tyre dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Shtatë kërkesat e komunave

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi ka paraqitur shtatë kërkesat kryesore drejtuar Qeverisë.

Së pari, AKK kërkon që Qeveria t’i kompensojë obligimet financiare që burojnë nga kontratat kolektive dhe që po ekzekutohen nga buxhetet komunale përmes procedurave gjyqësore dhe përmbarimore.

Së dyti, kërkohet që kompensimi retroaktiv i normës prej 0.5 për qind për përvojën e punës, përfshirë obligimet për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohet nga buxheti qendror dhe jo nga komunat.

Së treti, AKK kërkon rishikimin e kritereve të grantit specifik për arsim. Sipas Ibrahimit, mbi 3 mijë e 100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke u krijuar komunave një obligim shtesë prej mbi 24 milionë eurosh vetëm gjatë këtij viti.

Kërkesa e katërt lidhet me ndërprerjen e, siç e quan AKK, centralizimit dhe cenimit të kompetencave komunale, përfshirë çështjet që lidhen me pronën komunale dhe procedurat e rekrutimit.

AKK kërkon gjithashtu përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian dhe zvogëlimin e mjeteve të grantit të performancës komunale.

Ndër kërkesat tjera janë edhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022, si dhe krijimi i një granti të katërt për investime kapitale, me kritere të qarta, ligjore dhe transparente.

“Këto kërkesa janë të qarta, të argumentuara dhe të realizueshme. Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga Qeveria që t’i trajtojë me seriozitet dhe të hapë dialogun për zbatimin e tyre”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka paralajmëruar se AKK-ja do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e interesave të komunave përmes mekanizmave institucionalë dhe demokratikë.

“Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve”, ka qenë mesazhi i Ibrahimit drejtuar Qeverisë.

Lajme të ngjashme