Kryeministri spanjoll thotë se 12 orët e ardhshme janë vendimtare për zjarrin afër Madridit - NACIONALE

Kryeministri spanjoll thotë se 12 orët e ardhshme janë vendimtare për zjarrin afër Madridit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Dymbëdhjetë orët e ardhshme do të jenë vendimtare për një zjarr të madh në natyrë që po vazhdon të jetë aktiv afër Madridit, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, përderisa vapa e madhe po e rikthen presionin mbi zjarrfikësit që po nxitojnë që t’i vënë nën kontroll zjarret në Evropën Jugore.

Temperaturat të mërkurën pritej të arrinin në 39 gradë në Bordo të Francës, ku zjarrfikësit e kanë parandaluar arritjen e një zjarri të madh në pyje te periferia e qytetit, ndërsa 37 gradë në Madrid, në perëndim të të cilit po përhapet zjarri më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Spanjë, raporton gazeta “The Guardian”.

Dhjetëra ekuipazhe arritën që ta frenonin zjarrin afër Madridit gjatë natës së kaluar, thanë të mërkurën në mëngjes shërbimet emergjente, por një zjarr tjetër afër Valencias, ku temperatura pritet të arrijë në 32 gradë, është ende jashtë kontrollit.

“Unë besoj se 12 orët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme. Ato do të jenë vendimtare në konsolidimin e punës së bërë nga sistemi i mbrojtjes civile kombëtare” – tha kryeministri spanjoll.

Në Francë, zjarret në natyrë kanë djegur sipërfaqe rekorde, sipas Sistemit Informues Evropian për Zjarret në Pyje.

Më shumë se 330 mijë njerëz në Evropën Jugore janë detyruar që të largohen nga shtëpitë dhe hotelet.

Lajme të ngjashme