Kryeministri çek thotë se janë mbledhur boll para për t’i blerë Ukrainës 300 mijë predha
Nisma e udhëhequr nga Çekia për të blerë municion për Ukrainën ka mbledhur para të mjaftueshme deri më tani për ta blerë grumbullin e parë të 300 mijë predhave të artilerisë, tha të premten kryeministri çek, Petr Fiala.
“Qëllimi ynë është që të dërgojmë shumë më shumë” – shkroi Fiala në rrjetin X. “Puna jonë dhe ndihma jonë ndaj Ukrainës nuk përfundojnë këtu. Ne vazhdojmë që të kërkojmë partner në mënyrë që të mund të vazhdojmë që ta përkrahim Ukrainën në luftën e saj guximtare kundër agresorit rus” – shtoi ai, raporton agjencia “Reuters”.
Many thanks to all the countries that have joined the Czech initiative to purchase ammunition for Ukraine so far. We have managed to raise enough money to buy the first batch of 300,000 artillery shells. However, our goal is to deliver much more!
— Petr Fiala (@P_Fiala) March 8, 2024
Our work and our help to Ukraine…
Presidenti i Çekisë, Petr Pavel, tha të enjten se përmes kësaj nisme ishte mbledhur shuma e nevojshme për blerjen e 800 mijë pjesëve të artilerisë që ishin gjetur më parë dhe ishin në dispozicion nga disa shtete të pasaktësuara jashtë Evropës.
Disa shtete të Bashkimit Evropian dhe vende jashtë këtij blloku kanë dhënë zotime për ta furnizuar Ukrainën me municion, përderisa lufta kundër pushtimit të plotë rus po hyn në vitin e tretë.
BE-ja do të dështojë që ta përmbushë këtë muaj synimin për t’i dhënë Ukrainës një milion pjesë municioni, ndërsa ndihmat ushtarake të ShBA-së, që kanë qenë kyçe në përkrahjen ndërkombëtare për Ukrainën, kanë ngecur në Kongres.